Partia e Drejtësisë shënoi 20 vjetorin e themelimit

Partia e Drejtësisë me një tubim solemn sot ka shënuar 20-vjetorin e themelimit të saj. Të pranishëm në këtë përvjetor ishin edhe kandidatët për deputet nga koalicioni NISMA-AKR-PD.

Me këtë rast u tha se përgjatë këtyre dy dekadave kjo parti u përpoq të trasojë rrugën e qeverisjes së drejtë të mbështetur në standardet më të larta etike dhe morale në politikë, si parakusht themelor për mirëqenien e shtetit dhe qytetarëve.

Me një fjalë rasti simpatizantëve të PD-së ju drejtua Kryetari Prof.dr. Ferid Agani, i cili tha se sot po shënojmë njëzetvjetorin e themelimit të Partisë së Drejtësisë, subjektit politik që skenës politike kosovare ia ofroi konceptin programor të  qendrës politike si alternativë me vlerë.

“Jemi mbledhur sot që të shënojmë njëzetvjetorin e themelimit të Partisë së Drejtësisë, subjektit politik që skenës politike kosovare ia ofroi konceptin programor të  qendrës politike si alternativë me vlerë në të gjitha proceset me rëndësi të shtetëndërtimit të vendit. Me programin e saj që në vete integron parimet e demokracisë progresive konservatore, social – liberalizmit dhe social – demokracisë, Partia e Drejtësisë u ofroi qytetarëve të Republikës së Kosovës mundësinë e përcaktimit për alternativën integruese politike që në vete përfshin konceptet politike të ruajtjes dhe promovimit të vlerave të traditës kombëtare përfshirë ato fetare dhe qytetëruese Europiane, përkushtimit për të drejtat e njeriut, si dhe promovimit të shoqërisë shumë-etnike pa asnjë diskriminim, mbi bazat e barazisë dhe drejtësisë sociale”, deklaroi Kryetari Agani.

Ai theksoi së këtë parti e filloi një grup i intelektualëve dhe veprimtarëve të mirënjohur  kombëtar e politik që në ditët e para të pasluftës të cilët ishin të bindur se vendit i duhet, krahas spektrit tjetër politik, edhe një subjekt politik që në mënyrë autoktone do të përfaqësojë vlerat politike të shoqërisë Kosovare, vlera këto të cilat buronin nga veprimtaria paraprake politike kombëtare e mijëra intelektualëve të syrgjynosur Shqiptarë, nga vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe nga tradita e lashtë kombëtare përfshirë atë fetare dhe qytetëruese Europiane të familjeve tona.

Më tej Kryetari Agani u shpreh se tani ne ndodhemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 Tetorit. PD është e përkushtuar që të jap kontribut maksimal për suksesin e plotë të Koalicionit parazgjedhor Nisma-AKR-PD dhe fton të gjithë qytetarët e Kosovës që në mënyrë masovike të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të mbështesin kandidatët e këtij Koalicioni që me shumë çka do të paraqet boshtin e stabilitetit dhe zhvillimeve pozitive politike në të ardhmen e afërt.

 

Më nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan kandidatët për deputet nga koalicioni AKR dhe NISMA, të cilët thanë se koalicioni parazgjedhor, Nisma-AKR-PD do të jetë boshti kryesori i politikbërjes në mandatin e ardhshëm qeveritar.