Agani: Të bashkohemi për hir të sakrificës së familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit

Një delegacion i Partisë së Drejtësisë, në krye me kryetarin Dr. Ferid Agani, për nder të Ditës së Flamurit, sot ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Pas homazheve i pari i PD-së, ka vizituar familjen Jashari, ku u prit nga Murat Jashari, të cilit i uroi Ditën e Flamurit dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, duke vlerësuar lart kontributin e kësaj familje dhënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Më lejoni që në emrin tim dhe të anëtarëve të PD-së t’ua uroj Ditën e Flamurit dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, duke u lutur për familjen Jashari dhe për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, u shpreh Agani.

Më tej Agani theksoi se “Kjo odë në gjirin e familjes tuaj paraqet për çdo Shqiptarë vendin më të shënuar për ripërtitjen e vendosmërisë dhe vizionit për shtet ndërtim dhe përparimin e vendit. Polarizimet aktuale shoqërore dhe politike të cilat këto ditë kanë marrë përmasa shqetësuese, imponojnë nevojën për bashkimin e të gjithë bartësve të institucioneve shtetërore dhe subjekteve relevante politike nën hijen e sakrificës monumentale të Shaban Jasharit dhe familjes së tij. Është koha kur duhet të bien maskat e hipokrizisë politike, para dëshmisë legjendare të flijimit të interesave personale, për hir të çështjes madhore kombëtare e shtetërore të cilën para 19 viteve e bëri familja Jashari dhe mijëra familje e invalidëve dhe dëshmorëve te Kombit, invalidëve të luftës dhe ushtarëve të UÇK-së dhe të gjithë martirëve civil të luftës.”

Ndërsa, Murat Jashari falënderoi Kryesinë e Partisë së Drejtësisë, për vizitën në këto ditë dhe data të shënuara.

“Njeriu kur beson sigurisht që herët apo vonë ai besim përkthehet në diçka tjetër. Faleminderit popullit që kanë besuar në sakrificën që ata kanë bërë. Besimi i të parëve që kanë sakrifikuar për dekada dhe shekuj na solli deri tek liria, dhe besimi i këtij populli po i jep kuptim asaj sakrifice e ne po marrim forcë për ta vazhduar jetën tutje”, u shpreh Jashari.