Partia e Drejtësisë: 28 Nëntori, kujtesë dhe nderim për gjithë Dëshmorët e Kombit

Partia e Drejtësisë uron të gjithë Shqiptarët dhe krerët e institucioneve të shtetit Shqiptarë dhe të Kosovës me rastin e shënimit të 105 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo ditë e shënuar për të gjithë ne, ka qenë dhe mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit Shqiptarë. Me krenari të madhe dhe besim të plotë urojmë që këtë ditë ta kremtojmë në paqe dhe të ardhme më të mirë për shqiptarët kudo që jetojnë.

Kjo ditë historike jo vetëm që ka lënë gjurmë në historinë e Shqiptarëve, por shërben edhe si udhërrëfyese për një unitet sa më të madh brenda shqiptarëve, duke kultivuar vlerat e mirëfillta kombëtare dhe demokratike.

Kjo festë duhet të na shërbejë edhe si kujtesë për të gjithë dëshmorët e kombit, për sakrificën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë, por edhe familjet e tyre, duke u solidarizuar dhe duke ndarë gëzimin dhe dhimbjen me ta.

Kjo datë e rëndësishme për popullin Shqiptarë lidhet edhe me ditëlindjen e Komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, prandaj kemi më shumë se një arsye që të gjithë ne si komb, në këtë ditë të festojmë së bashku nën flamurin kuq e zi.