Partia e Drejtësisë do të jetë zë i fuqishëm për zgjidhjen e problemit të Tregut me shumicë

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Prof. Dr. Ferid Agani, së bashku me bartësin e listës Liridon Kadriu dhe kandidatët për Kuvend Komunal në komunën e Prishtinës, sot kanë vizituar Tregun me shumicë duke u njoftuar për se afërmi me problemet që ka ky treg.

Kryetari Agani gjatë një bashkëbisedimi me pronarët e bizneseve ka thënë se institucionet e vendit, qendrore dhe ato komunale, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për Tregun dhe kjo fletë për mungesën e plotë të vizionit politik të vullnetit dhe vendosmërisë të zgjidhet ky problem i madh për Kryeqytetin.

“Gjendja e Tregut me shumicë të cilën e konstatuam sot në mënyrë të përsëritur si në rastin e zgjedhjeve të viteve të kaluara është e njëjtë, shumë e keqe dhe fletë për mungesën e plotë të vizionit politik dhe vullnetit e vendosmërisë të zgjidhet ky problem i rëndësishëm i Kryeqytetit”, tha Kryetari Agani.

Sipas Kryetarit Agani, zgjidhja e vetme në situatën aktuale është sigurimi i një investitori të jashtëm në bazë të Ligjit për Investime Strategjike duke privatizuar Tregun me shumicë, por pas arritjes së marrëveshjes paraprake me pronarët e bizneseve, marrëveshje kjo që do të facilitohet nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Liridon Kadriu bartës i listës nga Partia e Drejtësisë për zgjedhjet për Kuvend Komunal, tha se ne do të jemi zë i fuqishëm i këtyre tregtarëve që t’u gjendet një zgjidhje e mirëfilltë në të mirë të tretarëve në këtë treg.

“Ne si Parti e Drejtësisë me moton ‘Qeverisje me Drejtësi!’, do të jemi zëri i këtyre tregtarëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe do të lobojmë që të merret një vendim i cili është i drejtë dhe i pranueshëm për këta tregtarë”, premtoi Kadriu.

Më tej ai theksoi se vendimi më i drejtë është sjellja e investimeve të huaja, privatizim i mirëfilltë dhe ndërtimi i një tregu modern për Prishtinën.