PLATFORMA POLITIKE E PARTISË SË DREJTËSISË ZGJEDHJET LOKALE 2017

Partia e Drejtësisë si parti politike e qendrës, e mbështetur në konceptet politike të demokracisë progresive konservatore, social liberalizimit dhe social demokracisë artikulon interesat gjenuine të qytetarëve për shtet të pavarur dhe demokratik të Kosovës, të integruar në bashkësinë evropiane dhe në NATO.

PD konsideron se sigurimi i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut me dispozita kushtetuese dhe ligjore, pa asnjë lloj të diskriminimit, përfshirë lirinë e plotë të ushtrimit të identitetit fetar në institucionet publike dhe të drejtën e arsimimit fetar në shkolla, paraqet themel për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar. Partia e Drejtësisë mbështet fuqizimin e unitetit të vlerave të identitetit kombëtar, evropian dhe kulturorë shpirtërorë të qytetarëve të vendit dhe vendosjen e tyre në themelet e politikave publike shtetërore.

 

Objektivat kryesore të Partisë së Drejtësisë në nivelin e pushtetit lokal janë:

-                      Sigurimi i standardeve europiane në punën e administratës lokale;

-                      Decentralizimi i shërbimeve për qytetarë në nivel të bashkësive lokale nëpërmjet digjitalizimit të librave amë të qytetarëve si dhe librave katastral;

-                      Krijimi i partneriteteve rajonale me komunat fqinje në shtetet e rajonit;

-                      Sigurimi i shërbimeve të veçanta për qytetarët tanë në mërgim;

-                      Tërhjekja e investimeve nga mërgimtarët në bazë të programeve të veçanta zhvillimore në bazë të legjislacionit në fuçi për partneritetin publik privat ose vetëm privat, që do të përpilohen në bashkëpunim të ngushtë me asociacionet e mërgimtarëve në vend dhe jasht tij; përfshirë lehtësimet tatimore dhe administrative në nivelin lokal, për këto projekte;

-                      Tërhjekja e investimeve të huaja, në bazë të legjislacionit në fuçi;

-                      Tërhjekja e interesimit të donatorëve për projekte strategjike që kanë të bëjnë me sigurimin e ujit të pijes dhe energjisë elektrike (nga burimet alternative duke shfrytëzuar energjinë e ujit, diellit, dhe erës); menaxhimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave përfshirë reciklimin e tyre; si dhe projektet për ruajtjen e mjedisit.

-                      Konsiderimi i të gjitha mundësive që nëpërmjet lehtësimeve tatimore në nivelin lokal të sigurohet ulja e çmimit të bukës;

-                      Ndërlidhja e ngushtë me Policin e Kosovës në komunitet, qendrat për punë sociale, dhe qendrat e shëndetit mendor në komunitet, me qëllim të identifikimit të rasteve të dhunës në familje, rasteve të rënda sociale, sëmundjet e vartësisë, dhe sëmundjet e rënda psikiatrike pa ndihmë adekuate familjare;

-                      Regjistrimi i ofruesve të shërbimeve paramjekësore dhe evidentimi i shërbimeve të tyre në bashkëpunim me shoqatat përktaëse profesionale të shëndetit mendor.

 I.  EKONOMIA

Prioritetet

§  Zvogëlimi i papunësisë;

§  Zvogëlimi i varfërisë ekstreme;

§  Përmirësimi i cilësis së jetesës për të gjithë qytetarët e komunës.

Me qëllim që të arrihen këto objektiva, PD do të aplikojë këto politika:

§  Përpekje të vazhdueshme dhe të pa kompromis kundër korrupsionit në nivelin komunal.

§  Shfrytëzimi optimal i buxhetit të dedikuar për zhvillimin ekonomik komunal;

§  Mbrojtja me të gjitha instrumentet ligjore e pronës publike dhe pronës private komunale;

§  Mbështetja e politikave investive që e rrisin punësimin  fuçizimi i aktiviteteve promovuese për tërhjekjen e investimeve të jashtme dhe veçanërisht nga bashkëatdhetarët tanë në mërgatë për të cilët në pajtim me dispozitat ligjore në fuçi duhët të krijohen të gjitha lehtësirat administrative dhe tatimore. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë ka përpilimi i projekteve investive në fushën e energjisë së ripërtëritshme, që mund të jenë subjekt i mbështetjes financiare edhe nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA (MCC).

§   Sigurimi i qeverisjes së besueshme dhe efiçiente të pronës publike dhe shtetërore, me kuadro të dëshmuara profesionalisht dhe kombëtarisht, si parakusht për shtim të qëndrueshëm ekonomik.

Për këtë qëllim, PD:

§   Do të organizon administrate komunale që është efektive, e besueshme dhe me vlera të larta të etikës njerëzore dhe kombëtare;

§   Ka adoptuar mënyrën ekonomike të të menduarit e cila qeverisjen në ekonomi dhe në politikë e trajton në mënyrë pragmatike (realiste), afatgjatë, reformiste dhe dinamike,  ndërsa e refuzon qasjen përfituese në baza ditore, populliste dhe afatshkurtër;

§   Do t’i kushtojë kujdes maksimal funksionalizimit dhe menaxhimit më të mirë të ndërmarrjeve publike dhe shtetërore në nivelin komunal.

1. FINANCAT PUBLIKE

Për PD-në, vjelja e tatimeve dhe taksave, të hyrat e tjera komunale, granti qeveritar, investimet e huaja dhe nga mërgata, donacionet, etj., dhe shpenzimi i buxhetit, e ngarkon qeverinë komunale me përgjegjësi të lartë etike.

Qytetarët kanë të drejtë të patjetërsueshme që të pyesin dhe të dijnë se tatimet e paguara nga ata ku janë harxhuar. Prandaj, buxheti duhet të përgatitet dhe të shpenzohet në pajtim me rregullën themelore të një shoqërie demokratike – transparencën e plotë.

§   Gjatë përgatitjes së buxhetit komunal, do të kujdeset që të kemi rritje ekonomike, në rradhë të parë duke:

-         shtuar efikasitetin e mbledhjes së tatimeve dhe taksave të përcaktuara me ligj dhe me vendimet e Asambles Komunale;

-         tërhjekë investimet e huaja;

-         përpiluar programe të veçanta zhvillimore në pajtim me specifikat komunale, që do tu ofrohen mërgimtarëve tanë për të investuar;

-         marr pjesë në projektet e organizatave ndërkombëtare të dedikuara për zhvillimin e komunave;

-         stimuluar vëllazërimin e kryeqendrave komunale me qytetet e shteteve mike nëpërmjet urave të bashkëpunimit të ndërtuara nga mërgimtarët tanë.

§   Si rrjedhojë e konceptit tonë politik: “Buxheti qytetarëve”, Partia jonë do të rrisë efiçiencën e Asamblesë komunale në përgatitjen dhe kontrollin e harxhimit të buxhetit nga qeveria komunale.

§   Koncepti ynë për taksat dhe tatimet është se qytetarët e ndajnë me shtetin e tyre një pjesë të vlerës që ata e kanë prodhuar.

§   Tatimet dhe taksat do t’i përdorë në mënyrën më efikase dhe më efektive, si mjet për realizimin e objektivave sociale dhe ekonomike.

2.  PRODHIMTARIA DHE POLITIKAT INVESTUESE

Në arritjen e stabilitetit ekonomik dhe implementimin e suksesshëm të politikave ekonomike, që dalin nga Strategjia zhvillimore e Partisë sonë, rol të rëndësishëm luajnë aftësitë prodhuese të kompanive tona në konkurrencën ndërkombëtare.

Shtimi i prodhimit, shtimi i punësimit dhe shtimi i eksportit janë shtyllat kryesore të politikave ekonomike që PD do t’i implementojë.

Ndërmarrësit privatë, të vendit, mërgimtarë, dhe të huaj, të cilët duhet të jenë forcë motorike e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, investojnë në një ambient ekonomik ku:

·      Sundon stabiliteti politik dhe ekonomik;

·      Parimet e bërjes së biznesit janë të qarta, të besueshme dhe transparente;

·      Kontratat janë të lidhura dhe të përcjellura me sanksione të forta;

Partia jonë është e përkushtuar që të krijojë një ambient të tillë të besimit dhe stimulimit të zhvillimit ekonomik në komunë në funksion të mirëqenies gjithëpërfshirëse të të gjithë qytetarëve.

Ky ambient do të mobilizojë fuqitë ndërmarrëse, tashmë të dëshmuara në shoqërinë tonë, dhe do të nxisë hyrjen e kapitalit të mërgimtarëve tanë dhe të huajve, me çka do të sigurohet rritja e shtuar të prodhimit dhe e shërbimeve cilësore dhe konkuruese.

§   Do të angazhohemi që të fillojë mobilizimi i investimeve në Kosovë, në mënyrë parësore nga mërgata e jonë, por edhe të investimeve të huaja, në funksion të shtimit të punësimit;

§   Për hirë të përdorimit efiçient të resurseve në dispozicion, humane dhe materiale, do të përkrahim themelimin e “zonave”, ose parqeve industriale, të cilat do të jenë të kompletuara me infrastrukturë të përshtatshme për tërheqjen e investimeve vendore, nga mërgata, dhe të huaja.

§   Do të stimulojmë kooperimin (edhe në baza komerciale) midis industrisë që do të zhvillohet në tekno-parqe (zonat industriale) dhe universiteteve (publike dhe private) që zhvillojnë veprimtari në komunën përkatëse.

3. TREGTIA, ZEJTARIA, NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME

Një nga objektivat e Partisë sonë është mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tregtare, zejtare dhe prodhuese, në forma nga më të ndryshmet të përcaktuara me strategjitë përkatëse shtetërore, me të vetmin qëllim: (ri) krijimin e shtresës së mesme të shoqërisë, e cila është struktua esenciale e çdo mirëqenie shoqërore, në vendet me ekonomi të tregut dhe me pluralizëm politik e pronësor.

Në këtë kuadër:

§   Do të sigurohet mbështetja financiare që bazohet në projekte, në stimulime tatimore, lehtësira administrative, dhe në eliminimin, respektivisht zvogëlimin në minimum të pengesave burokratike për të ushtruar aktivitet biznesi.

§   Të gjithë tregtarët, zejtarët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, do të mbrohen nga konkurrenca jolojale e korporatave të mëdha. Këtë strategji do ta përpilojmë së bashku me vetë tregtarët, zejtarët dhe ndërmarrësit, përmes entiteteve të tyre të organizimit - shoqatave, odave, asociacioneve.

§   Zejtarët dhe tregtarët (e vegjël, dhe të mesëm) do të kenë shansin, që nëpërmjet shoqatave të tyre të kontribuojnë në procesin e marrjes së vendimeve në administratën lokale, në ato lëmi që i prekin aktivitetet e tyre prodhuese dhe shërbyese.

 4. MINIERAT

Pasuritë e mëdha minerale me të cilat disponon Kosova, krahasuar me vendet e regjionit, e bëjnë atë vend me përparësi të mëdha komparative për investime të jashtme kapitale.

Partia jonë do të implementojë, në mënyrë të shpejtë, Programin për eksploatim efiçient të minierave në Kosovë bazuar në Ligjin për Trepçën dhe legjislacionin përkatës në fuçi, duke e vënë theksin në ruajtjen e interesave tona nacionale dhe mjedisore, me qëllim që këto resurse natyrore të kontribuojnë në shtimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës.

PD do të mbështesë zhvillimin e metalurgjive dhe të ndërmarrjeve për përpunimin e metaleve, veçanëriaht në kompleksin industrial të Trepçës, me qëllim që të shtohet eksporti.

Për këtë qëllim:

§   Do të inkurajohet investimi i kapitalit privat (të mërgimtarëve dhe të huaj) dhe do të eliminohen të gjitha pengesat burokratike që ndikojnë në mosardhjen e investimeve të jashtme në minierat dhe metalurgjitë tona;

§   Eksploatimi, punët minerale dhe prodhimi i lëndëve të para minerale duhet të bëhen konform me Ligjin për Trepçën dhe legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë.

5. TURIZMI

Kosova ka potenciale të mëdha turistike, me bukuritë e shumta natyrore, me pasuritë e saja historike, kulturore dhe me popullësinë e saj mikëpritëse.

Privatizimi transparent dhe konkurrues, edhe në relacione ndërkombëtare i kapaciteteve turistike në Kosovë, do të ndikojë në shtimin e ofertës turistike, në përmasa vendore dhe ndërkombëtare.

Në kuadër të këtyre parimeve të përgjithshme:

§   Në bashkëpunim me organizatat profesionale, në nivelin komunal, do të përgatiten: “Master plani komunal i turizmit”, shtimi i diversitetit të produkteve në turizëm, identifikimi i prioriteteve në investime kapitale, sigurimi i kontributit të iniciativave lokale, hartimi dhe vlerësimi i inventarizimit të turizmit dhe projektet për promocion lokal dhe ndërkombëtar të kapaciteteve turistike komunale;

§   Do t’u ofrohet mbështetje e nevojshme të gjitha kompanive dhe agjencive turistike të cilat organizojnë kongrese, panaire dhe manifestime të tjera ndërkombëtare në komunë, sepse në këtë mënyrë ato e zgjerojnë shtrirjen (numrin) e kongreseve dhe të panaireve në nivel vendi.

§   Programe të veçanta zhvillimore në komunat që kanë resurse të identifikuara për zhvillimin e turizmit, që do të shoqërohen me lehtësira të veçanta tatimore dhe administrative, do tu ofrohen mërgimtarëve tanë nëpërmjet tenderave publik.

II    BUJQËSIA

Prioritetet e PD-së për implementimin e strategjive shtetërore për zhvillimin e bujqësisë në nivelin komunal, janë:

1.   Zhvillimi i Agroekonomisë;

2.   Avansimi i qasjes në treg;

3.   Zhvillimi i infrastrukturës rurale.

 NË ÇKA DUHET INSISTUAR?

-         Ruajtja e fondit të tokës bujqësore;

-         Rritja e sipërfaqes se tokës punuese për fermer dhe zmadhimin e përqindjes së popullatës që merret me bujqësi;

-         Rritja e vetëdijes për konsumimin e produkteve vendore;

-         Zhvillimi i strategjisë koherente të zhvillimit rural të Kosovës që do të lehtësoj progresin e vazhdueshëm drejt harmonizimit me BE-në, nëpërmjet zhvillimit të një plani real të zhvillimit rural dhe bujqësor për vitet 2010-2015 që merr në konsideratë burimet financiare dhe njerëzore që janë në dispozicion;

-         Aktivitete të brendshme, ndërkufitare, dhe të bashkëpunimi me shtetet ballkanike dhe ato ndërkombëtare.

-         Veprimi në drejtim të politikës së lehtësimeve në kreditimin e bujqësisë;

-         Cilësia dhe kontrolli i ushqimit;

-         Aplikimi i teknologjive të reja;

-         Koordinimi i shoqatave të prodhuesve;

-         Marketingu në bujqësi (organizimi i marketingut dhe standardeve kualitative);

-         Ndihma teknike, fushata informative dhe promovuese;

-         Nxitja e zhvillimit të bujqësisë organike me qëllim të rritjes dhe zhvillimit të bujqësisë ekologjike.

-         Harmonizimi i legjislacionit veterinar Kosovar me atë të Bashkësisë Evropiane;

-         Mbrojtja e shëndetit të kafshëve (monitorimi epidemiologjik, planet e kontrollit dhe ç’rrënjosjes së sëmundjeve nga lista A dhe B, të OIE);

-         Avansimi në përmirësimin e planifikuar racor të kafshëve shtëpiake;

-         Mirëqenia e kafshëve sipas rregulloreve të BE;

-         Mbrojtja e shëndetit publik (zhvillimi i programeve për monitorimin e mbetjeve të produkteve me prejardhje shtazore);

-         Siguria dhe kontrolli i ushqimit me prejardhje bimore dhe shtazore;

-         Vazhdimësia e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve;

-         Avansimi i Laboratorëve Veterinare;

-         Ngritja e kapaciteteve strukturore dhe njerëzore për një shërbim të avansuar veterinar.

 

SYNIMET NË SEKTORËT E BUJQËSISË

-         Identifikimi i projekteve të financuara nga donatorët që do të sigurojnë implementimin e masave kyçe në një afat të mesëm;

-         Mobilizimi i resurseve profesionale, shkencore, dhe financiare të mërgatës në këtë drejtim;

-         Operacionalizimi i sistemit të Identifikimit dhe Regjistrimit të kafshëve (gjedheve, deleve etj) në vijë me kërkesat e BE;

-         Përpilimi i politikave lehtësuese për projektet e mërgimtarëve dhe donatorëve si dhe themelimi i mjedisit mbështetës legjislativ dhe administrativ;

-         Zhvillimi i Programit për përgatitje të marketingut për prodhime ushqimore bujqësore dhe të blegtorisë, me qëllim të stimulimit të shitjes së prodhimeve ushqimore bujqësore në tregje të jashtme dhe në tregje të brendshme përmes aktiviteteve të ndryshme të marketingut, përfshirë: gjurmimin e tregut, avancimin e kualitetit të prodhimeve, përgatitjen e prodhimeve autoktone kosovare për treg, aktivitete promovuese, etj;

-         Mbështetja e prodhuesve dhe përpunuesve vendor të qumështit, mishit, pemëve perimeve, drithërave, etj.

III. PUNA DHE MIRËQENIA SOCIALE

Orientimet kryesore të programit të politikës sociale të PD-së në nivelin komunal, do të jenë:

-         Decentralizimi i të drejtave sociale, në pajtim me ligjin;

-         Riorganizimi, racionalizimi dhe përvoja profesionale e shërbimeve komunale sociale;

-         Ripërtëritja e parimit të solidaritetit dhe reciprocitetit me rastin e gjetjes së zgjidhjeve për problemet e rënda sociale.

Mbështetur në parimet e lartëpërmendura, PD posaçërisht do të organizohet në:

-         Rritjen e shkallës së punësimit duke eliminuar dukuritë negative në këtë lëmi (korrupsionin, familjarizimin, etj);

-         Rritjen e ndihmave sociale dhe përfshirjen me këto ndihma veçanërisht të familjeve tjera që janë në buzë të ekzistencës;

-         Avancimin e të drejtave të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve të luftës dhe të kategorive me aftësi të kufizuara;

-         Sigurimin e mbrojtjes së plotë sociale për fëmijët pa prindër përfshir arsimimin në të gjitha nivelet;

-         Avancimin e mbrojtjes sociale të personave të moshuar pa kujdesin familjar;

-         Mbrojtjen e rinisë nga dukuritë negative, sociale (duhani, alkooli, droga, prostitucioni, dhuna në shkolla, tentimet dhe aktet e vetëvrasjes), të cilat në shkallë brengosëse po e prekin rininë kosovare;

-         Mbrojtjen e nënës dhe të fëmijëve, me anë të programeve të veçanta të përkujdesjes;

-         Përfshirjen sa më të madhe në zhvillim dhe aftësim profesional të fëmijëve nga familjet në gjendje të rëndë sociale;

-         Përkrahjen e rehabilitimit psikosocial të viktimave të trafikimit të qenieve të gjalla dhe të sëmurëve nga sëmundjet e vartësisë, në bazë të programeve detaje të nivelit shtetëror.

IV.   SHËNDETËSIA

PD e vlerëson gjendjen në sektorin e shëndetësisë si tejet të rëndë, të paqëndrueshme dhe të papranueshme dhe e vlerëson si rezultat të ndërprerjes së procesit reformues të filluar me reformën legjislative të përmbyllur gjatë mandatit të Ministrit Agani në periudhën 2011 – 2014 për çka ishte siguruar edhe mbështetja e Bankës Botërore prej 25.6 milion USD dhe fillimi i zbatimit të këtij legjislacioni. Reforma e filluar në vitin 2011 filloi të jep rezultatet e para në vitin 2014, siç janë:

1.      Krijimi i të gjitha parakushteve për themelimin dhe fillimin e suksesshëm të Fondit të sigurimeve shëndetësore;

2.      Themelimi i odës së mjekëve dhe finalizimi i procesit për themelimin e odave të profesionistëve të tjerë shëndetësor;

3.      Stabilizimi i gjendjes në sektorin farmaceutik dhe veçanërisht furnizimit me barna në institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet;

4.      Funksionalizimi dhe themelimi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) si organizatë e veçantë buxhetore;

5.      Fuçizimi i sektorit privat në shëndetësi në funksion të parandalimit të mjeteve enorme financiare për trajtim jashtë vendit;

6.      Eliminimi i vatrës endemike të etheve hemoragjike në Malishevë dhe tri komuna të tjera;

7.      fillimi i zbatimit të suksesshëm të Ligjit për Kontrollin e Duhanit;

8.      Stabilizimi dhe fuçizimi i programit të shkollimit specialistik në të gjitha lëmitë specialistike me theks të veçantë në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor me akreditim ndërkombëtar;

9.      Fillimi i punës së Shërbimit kardiokirurgjik, onkologjik, dhe të psikiatrisë forenzike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës;

10.  Fillimi i ndërtimit të Qendrës Emergjente të SHSKUK dhe Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK.

Pasojat e drejtëpërdrejta të gjendjes kaotike të krijuar me ndërprerjen e procesit reformues me vendime politike pas rezultateve të zgjedhjeve nacionale 2014 janë duke u përjetuar çdo ditë nga të gjithë qytetarët dhe punëtorët shëndetësorë të Kosovës.

PD e ka realizuar në masën më të madhe konceptin e saj programor – eliminimin e rolit menaxherial të Ministrisë së Shëndetësisë dhe fuqizimin e rolit të saj politik-bërës, ligj-bërës, mbikqyrës dhe kontrollues; në këtë drejtim janë themeluar katër Oda të Profesionistëve Shëndetësor si organe më të larta përfaqësuese dhe promovuese të punëtorëve shëndetësorë, dhe është themelua SHSKUK, që integron institucionet shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor. Megjithatë, si pasojë e ndërprerjes së reformës shëndetësore në vend ka ngecje serioze në themelimin e Fondit të sigurimeve shëndetësore.

Me qëllim të tejkalimit urgjent të kësaj gjendje PD në nivelin komunal do të ndërmerr hapa konkret si pjesë të programit integral për reformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë mbështetur mbi parimin shëndeti para sëmundjes dhe parandalimi para trajtimit.

PD do të vazhdojë të mbështes avansimin e shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor të mbështetur mbi konceptin gjithpërfshirës të mjekësisë familjare, në këtë drejtim do të angazhohemi për:

Sigurimin e kushteve për fillimin e shëndoshë të jetës për foshnjet duke siguruar integrimin e plotë të materniteteve komunale në shërbimin profesional për nëna dhe fëmijë të udhëhequr nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK. PD do t’i kushtojë vemendje të veçantë përcjelljes sistematike të grave shtatëzana; zbatimit të procedurave adekuate diagnostike; krijimit të kushteve optimale për lindje në institucione shëndetësore; si dhe përcjelljes adekuate të nënës dhe foshnjes gjatë periudhës së lehonisë në shtëpitë e tyre nga ana e mamive të cilat do të vizitojnë veçanërisht lehonat që jetojnë në kushte të vështira sociale dhe ekonomike.

-         Furnizimin optimal të Qendrave të Mjekësisë Familjare me barna dhe material harxhues;

-         Përmirësimin e stimulimit financiar të punëtorëve shëndetësorë në kujdesin parësor bazuar në indikatorët e përformancës;

-         Funksionalizimin e plotë dhe optimal të sistemit të informimit shëndetësor në të gjitha institucionet e nivelit parësor të kujdesit shëndetësor;

-         Avansimin e shërbimeve të shëndetit mendor në komunitet të ndërlidhura ngushtë me qendrat kryesore të mjekësisë familjare dhe qendrave komunale për punë sociale. Duke siguruar udhëheqje kompetente profesionale dhe shkencore PD do të vazhdojë aktivitetet sistematike në zbatimin e mëtutjeshëm të Planit strategjik për shëndetin mendor; ndërkaq rëndësi e veçantë do t’i kushtohet integrimit të shërbimeve psikologjike dhe atyre psikiatrike me shërbimet e mjekësisë familjare dhe të mirëqenies sociale, në ekipe multi-disciplinare për parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e sëmundjeve psikiatrike;

-         Themelimin e qendrave të dializës sipas modelit të komunës së Rahovecit në Komunat ku ekzistojnë nevojat dhe kapacitetet infrastrukturore dhe profesionale për të realizuar këtë synim human;

-         Parandalimin e përhapjes si dhe trajtimin e suksesshëm të tuberkulozës dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse si indikator substancial i përmirësimit të gjendjes shëndetësore të popullatës së Kosovës;

-         Vazhdimin e zbatimit të Planit strategjik për parandalimin dhe trajtimin e etheve hemoragjike Krime-Kongo;

-         Zbatimin strikt dhe rigoroz të Ligjit për kontrollin e duhanit në vendet publike.

-         Realizimin e plotë të gjitha objektivave programore të Strategjisë për kujdesin parësor shëndetësor, në fuçi.

Me qëllim të realizimit të suksesshëm të këtyre synimeve programore të PD-së është e domosdoshme që të sigurohen kushte optimale të punës; stimulim adekuat moral dhe material për të gjithë punëtorët shëndetësorë; si dhe lidership kompetent dhe profesional me përgatitje adekuate, veçori të dëshmuara etike dhe morale, që është bashkëpunues dhe i gatshëm për veprim kreativ, në bazë të kritereve të qarta sepse ku ka standarde ka edhe përgjegjësi.

Partia e Drejtësisë merr obligim para elektoratit, që shëndetësinë Kosovare ta shpiej në mënyrë të sigurtë përpara duke e nxjerrë nga kaosi aktual me vazhdimin e reformës së filluar me themelimin e kornizës reformative ligjore në vitet 2011 – 2014 sepse si autore e reformës është e vetmja forcë politike që ka vizion dhe kompetencë profesionale për ta realizuar me sukses përfundimin e saj.

V.  ARSIMI, SHKENCA DHE TEKNOLOGJIA

Partia e Drejtësisë në programin e vet partiak e ka vënë si pikë me përparësi përmirësimin e kualitetit të arsimit në Kosovë, duke u mbështetur në përvojën e vendeve më të zhvilluara e demokratike të Evropës, duke vënë theksin mbi thelbin kombëtarë dhe nevojën e fuqizimit të vlerave etike dhe morale të nxënësve nëpërmjet zbatimit të lëndës së edukatës fetare në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.

Kjo nënkupton "... promovimin e unitetit të qenies fizike dhe shpirtërore të njeriut dhe unitetit të identitetit kombëtar dhe identitetit fetar të qytetarëve të vendit."

Në këtë drejtim, në sistemin arsimor të nivelit komunal duhet të sigurohet zbatimi i plotë i ligjshmërisë sa i përket respektimit të lirisë dhe të drejtës kushtetuese për manifestimin publik të bindjeve dhe besimit fetar dhe me këtë të parandalohet çfarëdo diskriminimi i punëtoreve të arsimit ose të nxënëseve të besimit Islam që për fat të keq është bërë praktik në disa komuna të vendit.

Fëmijëve të Kosovës duhet siguruar dhe garantuar që në shkollat e tyre, krahas arsimimit, të kenë edhe edukim të mirëfilltë si vazhdimësi e edukimit familjar. Kjo ka rëndësi të veçantë në periudhën e tranzicionit aktual kulturor nëpër të cilin po kalon shoqëria jonë, tranzicion ky gjatë të cilit rinia është duke u ballafaquar me tendenca për arsimim ekskluzivisht me frymë materialiste që shkojnë deri në atë shkallë sa që fëmijtë të shkëputen nga gjiu i vlerave familjare. PD i jep rëndësi të veçantë edukimit të mirëfilltë familjar, por nuk i injoron faktorët ndihmës për këtë qëllim siç janë: institucionet parashkollore dhe shkollore, entet sociale, dhe edukative, që janë në kompetencë të plotë të pushtetit komunal.

Arsimit në Kosovë duhet t’i rikthehet edukata e mirëfilltë njerëzore që nënkupton edukimin mbi baza të shëndosha etike dhe morale që mbështetet në sistemin e dëshmuar të vlerave familjare të shoqërisë sonë, dhe jo promovimin dhe kultivimin e pasioneve epshore. Mungesat serioze në ndërtimin e strukturës morale të nxënësve, shpesh përfundojnë edhe me akte tragjike, siç janë rastet e shpeshta të tentimeve të vetëvrasjes dhe vetëvrasjeve a madje edhe hudhjes së foshnjave të sapolindura nëpër kontenier të mbeturinave, që për fat të keq jemi dëshmitarë gjithnjë e më shpesh.

Rinia, në përgjithësi, por sidomos ajo shkollore, dhe veçanërisht ajo universitare, ka nevojë për sigurimin e hapësirës arsimore edukative. Kjo kërkon më shumë shkolla, fakultete, biblioteka, dhe salla leximi të furnizuara me literaturë të nevojshme, nëpër qytete universitare ku studentët do të kenë qasje jo vetëm në internet por edhe në shtypin e përditshëm vendorë dhe botërorë. Të rinjëve dhe të rejave që dëshirojnë, e ata nuk janë të paktë, duhet siguruar kushtet për ngritje profesionale krahas edukimit të mirëfilltë dhe arsimimit shkencor, që nënkupton përgatitjen e tyre për detyrat që kanë ndaj familjes dhe shoqërisë, siç janë: themelimi i familjes, dhe kultivimi i kultit të punës dhe i sinqeritetit në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kafenetë janë për zbavitje, dhe nuk janë për arsimim. Vetëm arsimimi i pandarë nga edukimi që kultivon ngritjen morale e fizike, dhe të dyja bashkërisht- është garancë për brez të shëndosh e të gatshëm të mbajë mbi supe ardhmërinë e këtij populli dhe proceset e shtetë – ndërtimit.

Në rrethanat kur shumë qendra komunale janë shndërruar në qendra universitare, rinisë studentore duhet krijuar mundësitë e qarkullimit të beneficuar në komunikacionin urban, me anë të kartelave studentore, si edhe mundësinë për ushqim në pika të ndryshme të kryeqytetit – ku i kanë më afër objektet për mësim.

Sistemi arsimor në Kosovë duhet të sigurojë dhe të garantojë shkollimin dhe edukimin e brezave në frymën e popujve që e besojnë Zotin e madhërishëm, siç janë SHBA dhe shumë shtete të Evropës e të botës, duke respektuar edhe traditën vendore, qoftë fetare apo kombëtare, e cila nuk i bie ndesh as vlerave njerëzore dhe as atyre shtetërore, me theks të veçantë në arsimin dhe edukimin e integruar në hapësirën që e rrethon dhe më gjerë. Në këtë drejtim duhet siguruar zbatimin e lirshëm të identitetit fetar të nxënësve dhe studentëve edhe brenda institucioneve arsimore, kudo që kjo është e mundshme në aspektin teknik.

E tërë kjo mund të realizohet vetëm në qoftë se shteti i Kosovës vetëdijësohet se pa mësuesin e klasës së parë, i cili është shkelur dhe përbuzur deri në skajshmëri nuk mund të ketë as student, as profesor, as ministër as kryeministër, as kryetar shteti e as shtet fare. Analfabetët mund të jenë shumë më të mençur se tëra këto struktura që u përmendën por nuk mund të përfaqësojnë askënd, përveç vetëvehtes dhe familjes së tyre. Përmirësimi i gjendjes së arsimtarit në të gjitha nivelet, ashtu siç e kanë shumë vende të Evropës, me një vlerësim objektiv dhe shpërblimin meritor të kësaj kategorie të strukturës që përbën boshtin e shtetit, është parakushti kryesor, pa plotësimin e të cilit asnjëherë nuk do të ketë shtet të fortë dhe shoqëri stabile.


VI.       KULTURA DHE TRASHËGIMIA KULTURORE

Shumėllojshmėria dhe diversiteti i kulturave, qytetėrimeve, ngjyrave, gjuhėve dhe popujve janė shenja tė fuqisė sė Zotit madhërishëm. Kultura e dialogut nė vend tė asaj tė konfliktit ndėrmjet partive tė ndryshme dhe feve, si nė rrafshin brenda Kosovės ashtu edhe ndėrmjet qytetėrimeve nė rrafshin ndėrkombėtar, janė garanci pėr paqe dhe prosperitet. PD beson se pluralizmi ideologjik dhe fetar është vlerë qytetëruese dhe ėshtė diçka qė e ka siguruar dhe e kërkon prej njerëzve, vetė Zoti.

Zhvillimi dhe pėrparimi i kulturės padyshim ėshtė kusht pėr ruajtjen dhe kultivimin e vlerave tė mirėfillta dhe ngritjen e shoqėrisė. Si rrjedhim shoqėria jonė duhet tė ruajė filozofinė dhe konceptin e saj filozofik pėr jetėn dhe standardet e saj etike dhe kulturore.

Partia e Drejtësisë, kur janë në shqyrtim çështjet kulturore, mbėshtetet nė pėrvojėn e vendeve mė tė zhvilluara duke ruajtur dhe pasur parasysh njëkohësisht prioritetin e vlerave kulturore autoktone dhe specifikave tė traditės sonė.

Pas pėrfundimit tė luftės nė Kosovė gjendja e vlerave të kulturës, shpirtėrore dhe materiale ka pasur trende tė rėnies, nė tė dyja nivelet. Kemi njė pėrshpejtim tė pėrhapjes sė antivlerave, tė shundit dhe kiçit, dhe pėr pasojė kemi njė degradim tė vlerave tė mirėfillta kulturore.

Për të dalë nga kjo gjendje PD do të angazhohet, që në nivelin komunal, si prioritete tė vendosen:

-     Promovimi i vlerave kulturore dhe ruajtja e trashėgimisė sonė shpirtėrore dhe materiale;

-     Shtimi i investimeve buxhetore pėr institucionet kulturore dhe ngritjen e tyre edhe nė ato qytete qė nuk ekzistojnė;

-     Zbatimi strikt dhe rigoroz i legjislacionit në fuçi në lëmin e kulturës dhe veçanërisht Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Hoqën e Madhe;

-     Pėrkrahja dhe stimulimi i nismave dhe organizimeve tė ndryshme nė funksion të zhvillimit të gjithmbarshėm tė kulturės sonė;

-     Ngritja e resurseve humane njerėzore nė udhėheqjen dhe zhvillimin e institucioneve kulturore publike;

-     Pėrkrahja e mediave publike dhe private qė kultivojnė vlera tė mirėfillta dhe që angazhohen për ruajtjen e identitetit tonė kombėtar e fetar, pėrmes pėrpilimit tė programeve pėr ngritjen e vetėdijes pėr ruajtjen e tyre;

-     Pėrkrahja e aktiviteteve tė shoqėrisė civile qe janė nė funksion tė afirmimit tė vlerave tė traditės sonė kombėtare, fetare e kulturore në përgjithsi;

-     Sigurimi i hapėsirės adekuate nė mediat elektronike pėr programe me pėrmbajtje fetare;

-     Mbrojtja institucionale e monumenteve fetare dhe kulturore-historike;

-     Pėrkujdesja dhe stimulimi nė ruajtjen e shenjave dalluese qė karakterizojnė ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave kulturore tradicionale (sikurse janė: veshjet, vallet, folklori, kullat etj.);

-     Pajisja e institucioneve kulturore me mjete tė nevojshme elektronike dhe me literaturė bashkėkohore;

-     Bashkėjetesa kulturore ndėrmjet shumicės shqiptare dhe pakicave tė tjera nė Kosovė si dhe pėrkrahja e bashkėpunimit kulturor ndėretnik;

-     Pėrkrahja dhe stimulimi pėr bashkėpunim mė tė ngushtė kulturor ndėr-komunal dhe ndër-kufitar; me theks tė veçantė në shtetet e dëshmuara mike dhe aleatė tė natyrshme tė vendit tonė;

-     Dėrgimi i kuadrove komunale pėr specializim jashtė vendit.

PD është e bindur se ruajta e identitetit kulturor dhe e traditės autoktone tė njė vendi ėshtė garantues i tė ardhmes sė sigurt dhe tė ndritur të tij.

 

 VII.     RINIA DHE SPORTI

Situata

Të dhënat flasin se 70 % e popullatës në Kosovë është nën moshën 30 vjeqare, ndërsa 50% është nën moshën 25 vjeqare; kjo lë hapësirë të ngushtë për veprim të menjëhershëm në drejtim të arsimimit dhe integrimit të gjeneratave të reja të papunësuara dhe tejet të pakënaqura. Problemet e sektorit të rinisë shtrihen që nga nevoja e tyre për një arsim më kualitativ e edukim të mirëfilltë deri te nevoja për promovim dhe pjesëmarrje më aktive në jetën institucionale dhe kulturore, sportive dhe rekreative.

Puna e deritanishme e institucioneve për rininë

Sa kanë punuar institucionet e Kosovës për rini tregojnë raportet e shumta të bëra nga organizata ndërkombëtare në Kosovë; p.sh., UNDP në raportin e saj të tretë thotë se po t’u jepej rasti të rinjve të Kosovës që të dilnin jashtë Kosovës këtë do ta bënin rreth 50% e tyre. Institucionet e Kosovës përveq që nuk kanë punuar në mënjanimin e krizave ekonomike të rinisë, në përmirësimin e arsimit dhe edukimit, dhe në fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, ato e kanë fut rininë edhe në një amulli dhe paqartësi kulturore si rezultat i krizës së sistemit të vlerave kulturire dhe mos funksionimit të mirëfilltë të institucioneve kompetente kulturore.

PD angazhohet për pjesëmarrje të shtuar të rinisë në vendim-marrjen komunale

-     Të promovohen dhe sigurohen mekanizma institucional për pjesëmarrjen e të rinjve në procesin e vendim-marrjes;

-     Të sigurohet qasja në informacione dhe transparenca e institucioneve publike komunale për çështjet e të rinjëve;

-     Të sigurohet përkrahja për sektorin e rinisë në nivel lokal;

-     Të përkrahet rrjetëzimi dhe bashkëpunimi i të rinjve në aktivitete rinore regjionale ndër-kufitare;

-     Të ngritet kapaciteti i OJQ-ve dhe rrjeteve rinore;

-     Të promovohet dhe njihet puna vullnetare e të rinjëve;

-     Të sigurohet gjithëpërfshirja e të rinjve të të gjitha komuniteteve dhe grupeve të margjinalizuara;

-     Të përkrahet punësimi i të rinjve në sektorin publik dhe atë privat në komunë;

-     Të luftohen dukuritë negative në meset shoqërore të të rinjëve dhe degradimi i tyre moral;

-     Të promovohen vlerat e kulturës autoktone;

-     Të shtohet angazhimi i të rinjëve në punë hulumtuese e shkencore;

-     Të shtohen mjetet buxhetore për bashkëpunim me OJQ që funksionojnë në sferën e të rinjëve;

-     Të promovohet dhe kultivohet edukimi fizik si dhe të gjitha sportet te të rinjët.

-     Të bëhet ndalimi i shitjes së duhanit dhe pijeve alkoolike të rinjëve, nën moshën 16 vjeqare.

 

 

 

VIII.    FAMILJA DHE GRUAJA

Shtrohet pyetja se ku e ka vendin femra në shoqërinë tonë në relacion me kodeksin e qëndrueshëm social dhe kulturor në të cilin ajo ka funksionuar më parë. Zhvillimi i shpejtë demokratik i shqoërisë sonë ka hapur mundësi për emancipimin e plotë shoqëror të femrës Kosovare mirëpo edhe ka shkaktuar tensione në funksionimin e sajë social dhe ekonomik duke mos e shoqëruar inkuadrimin e shtuar të femrës në të gjitha rrjedhat e jetës shoqërore me masa adekuate mbështetëse gjatë periudhave të saja specifike gjenerative si shtatzënia, lehonia, dhe menopauza.

Çka punohet në këtë drejtim për femren? A është ajo realisht aktive në jetën shoqërore apo vetëm dekor për të plotësuar % “gjeneroze” të nxjerra me insistimin e strukturave më të larta ndërkombëtare?

Është i mirënjohur fakti se investimi më i mirë është investimi në familje të shëndoshë që siguron një shoqëri te shëndoshë.

Prandaj, në çdo hap duhet përpjekur që të ngritet niveli arsimor, edukativ dhe kulturor i femrës dhe që për të të sigurohen vende të merituara të punës.

Femra Kosovare dinë shumë më mirë se meshkujt të punojë në ruajtjen e familjes, traditave kombëtare e fetare, moralin familjar, parandalimin e dukurive të këqia shoqërore si sëmundjet e vartësisë dhe prostitucioni, si dhe sjelljes jokorrekte në shoqëri, përfshirë zvoglimin e divorceve që dita më ditë janë duke u shtuar në Kosovë dhe që me pasojat e rënda psikosociale si për fëmijët ashtu edhe për femrat e shkurorëzuara, paraqesin kërcënim serioz për stabilitetin e përgjithshëm të shoqërisë sonë.

 Si të arrihet kjo në nivelin komunal?

-          Kyqja sa më masovike e gruas në jetën institucionale do të zvogëlojë në rradhë të parë papunësinë dhe vartësinë e sajë ekonomike;

-          Dhënja e të drejtës gruas në vendimmarrje edhe në rastet e problemeve madhore shoqërore do të dëshmojë inteligjencën e sajë emocionale dhe kapacitetet e padiskutueshme intelektule;;

-          Përkrahja dhe stimulimi i zhvillimit të bizneseve të vogla për gratë, në rradhë të parë, grupeve të rrezikuara dhe mbajtëseve të familjes, do të lirojë potencialet e tyre kreative në sferën e biznesit;

-          Luftimi i pakompromis i dhunës e cila ushtrohet ndaj tyre në familje dhe jashtë sajë do të shtojë ndjenjën e sigurisë dhe vetë-besimit të domosdoshme për funksionim adekuat funksional dhe kontribut-dhënje shoqërore;

-          Trajtimi adekuat shëndetesor dhe social do të respektojë veçoritë specifike biologjike të femrës përfshirë kujdesin për periudhat e saja gjenerative si shtatzënia dhe menopauza;

-          Sigurimi i vendim-marrjes me rastin e planifikimit të familjes do të parandalojë ,abortet dhe pasojat e tyre të rënda psikologjike dhe trupore;

-          Sigurimi i punësimit të barabartë edhe në vende të punës me shkallën më të lartë të përgjegjësisë duke respektuar në tërësi veçorit biologjike, psikologjike dhe sociale të femrës;

-          Fuçizimi i punës vullnetare te gratë në kohë të lirë që do të rrisë kohezionin social të komunitetit femëror.


IX.       MJEDISI DHE PLANIFIKIMI HAPSINOR

Duke udhëhequr në një pjesë të mandatit Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor PD ka dhënë kontribut të rëndësishëm për fokusimin e vemendjes në problemet mjedisore në rrafshin komunal duke nxjerrë legjislacionin përkatës mbi bazën e të cilit duhet ndërmarrë aktivitete sistematike dhe të menjëhershme për mbrojtjen e mjedisit në qytetet e Kosovës me theks të veçantë në eliminimin e menjëhershëm të ndotjes nga gazrat  që vijnë prej karburanteve të automjeteve duke zbatuar në mënyrë strikte udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës që e rregullon emsionin e gazrave nga burimet e lëvizshme; ligjin për kontrollin e duhanit, si dhe udhëzimin administrativ për ndotjen mjedisore në nivelin komunal që është në fuçi. Zbatimi i këtyre ligjeve dhe udhëzimeve administrative do të shënonte ndryshim të shpejtë në realitetin mjedisor të vendit veëanërisht në nivelin komunal dhe do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm në ndryshimin e domosdoshëm të mentalitetit përkitazi me çështjet mjedisore.

Me qeverisjen e PD-së në komunat ë Kosovës do të sigurohet pjesëmarrja aktive dhe efikase në projektet mjedisore të mbështetura nga buxheti komunal dhe donatorët e shumtë ndërkombëtar vbeëanërisht në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të zeza, duke shfrytëzuar këto mjete për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të drejtorive përkatëse komunale. PD insiston që në çdo komunë të vendit të fuksionajnë Drejtoratet për çështje mjedisore dhe inspektoratet përkatëse komunale që do të sigurojnë implementimin e plotë të akteve të sipërpërmendura ligjore dhe nën-ligjore.

PD insiston që në administratën komunale me të cilën do të udhëheqë të krijohen kapacitetet profesionale për lëshimin dhe monitorimin e zbatimit të lejeve mjedisore komunale, që aktualisht paraqet mungesë të madhe në zbatimin e legjislacionit në fushën e mjedisit.

Në fushën e planifikimit hapësinor duhet ndërmarr aktivitete sistematike për nxjerrjen sa ma të shpejtë dhe cilësore të hartave zonale komunale dhe zbatimin e tyre efikas me çka do të ndërprehen zhvillimet në shumë mjedise kaotike në fushën e planifikimit hapësinor. Kuadrot e PD-së në administratat komunale do të sigurojnë koherencën e plotë të hartave zonale komunale me Hartën Zonale të Kosovës dhe Planin Hapësinor të Kosovës, gjë që do të ndikojë në mënyrë substanciale në planifikimin dhe ndërtimin e mirëfilltë në nivel të vendit.

 

PD insiston në zbatimin e plotë ligjit për ndërtesat që janë në bashkëpronësi me çka do të krijoheshin vende të shumta të reja të punës dhe do të ndikohej në ngritjen e dukshme të cilësisë së banimit që shpejtë do të vërehej nga qytetarët.