2 korriku 1990 është njëra ndër ngjarjet më të ndritura të historisë shqiptare

Shpallja e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 është njëra prej ngjarjeve me të ndritura të historisë kombëtare shqiptare dhe të historisë shtetërore të Republikës së Kosovës e cila në mënyrë sublime dëshmoi fuqinë e popullit shqiptarë që në momentet më kritike të historisë së tij të bashkohet dhe t'ia dëshmojë gjithë botës aspiratat e tij liridashëse dhe vendosmërinë për vetë përcaktim e jetë në shtet të pavarur dhe sovran, pavarësisht prej raporteve të forcave ushtarake dhe policore të kohës.

Politikanët e të sotshmes duhet të nxjerrin mësime nga kjo gjeneratë e ndritur e përfaqësuesve të popullit të gatshëm për sakrificën e skajshme dhe të bashkohen për ndërtimin e institucioneve të ëndërruara me 2 Korrik 1990. Çdo veprim tjetër do ti vendos ata larg interesave të popullit që u dha besimi në zgjedhjet e fundit.

Të nderuar deputet (delegat) të Kuvendit të Kosovës të vitit 1990 ju faleminderit në emër të Partisë së Drejtësisë për ngritjen lartë të standardit të veprimit politik në rrethana pakrahasimisht më të rënda. Zoti i Madhërishëm ju nderoftë krahas dëshmorëve, luftëtarëve dhe veprimtarëve të panumërt të kombit që vizionin dhe vendosmërinë tuaj politike e shndërruan në liri dhe pavarësi të vendit.

Ferid Agani

Kryetar i Partisë së Drejtësisë