PD unifikohet dhe fuqizohet

Partia e Drejtësisë sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues në të cilën u bë shqyrtimi detaj i situatës politike në vend dhe u përfundua se sfidat serioze dhe komplekse politike me të cilat po ballafaqohen qytetarët dhe institucionet shtetërore në baza ditore kushtëzojnë nevojën për shkallën më të lartë të unitetit dhe të veprimit të përbashkët e të përgjegjshëm të gjithë spektrit politik në vend.

Këshilli Drejtues vlerësoi edhe situatën aktuale në parti pas veprimeve të papërgjegjshme dhe politikisht tejet të dëmshme të një pjese të Kryesisë së partisë dhe përkitazi me këtë unanimisht morri vendime për shkarkimin nga detyra e anëtarëve të Kryesisë së PD-së të Sylejman Çerkezit dhe Bajram Tërshanit, nga detyra e Sekretarit të përgjithshëm Fidan Mustafës, dhe nga pozita e nënkryetarit të partisë për çështje politike Jeton Svircës, për shkak të shkeljeve të rënda statutore dhe dëmtimit të rëndë të imazhit publik të partisë.

Këshilli Drejtues i PD-së vendosi që të gjithë anëtarëve të pezulluar të Kryesisë së partisë t’u ofrohet mundësia që brenda dy javëve të reflektojnë me vetëkritikë ndaj shkeljeve të tyre statutore në periudhën e kaluar duke informuar me shkrim KQZ-në dhe Kryesinë e partisë dhe të tërhiqen nga kërkesa jostatutore për kontestimin e udhëheqjes legjitime të PD-së të paraqitur në KQZ.

Gjatë mbledhjes u theksua vendosmëria e Këshillit Drejtues të partisë për të zgjidhë të gjitha mospajtimet në frymën demokratike, me drejtësi, durim dhe tolerancë, në pajtim me kodeksin e mirënjohur të vlerave etike dhe morale të partisë.

Këshilli Drejtues i PD-së unanimisht zgjodhi në pozitën e nënkryetarit për çështjet politike të partisë kryetarin e degës së partisë në Ferizaj dhe anëtarin e kryesisë, Ardian Sejdiun, ndërkaq në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të partisë, kryetarin e degës në Vushtrri dhe kryetarin e deritanishëm të Vizionit Rinor të Partisë Eroll Venhari. 

 

Këshilli Drejtues vendosi që sërish të mblidhet brenda muajit duke pasur parasysh dinamikën e zhvillimeve politike në vend dhe në parti.