Fjalë nga zemra për mikun e dashur

Fjalë nga zemra për mikun e dashur

(prof. Samedin Haxhijahës, Anëtar nderi I Partisë së Drejtësisë)

E nderuara familje Haxhijaha. Të nderuar mësimdhënës dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë, të dashur miq prezentë në këtë tubim përkujtimor për Profesorin tonë te dashur dhe mjekun e çmuar të popullit Samedin Haxhijahën.

Dje shpirti fisnik i Profesorit dhe mjekut të popullit Samedin Haxhijahës u nda nga qenia e tij fizike; përgjithmonë në këtë botë u shua zëri i tij kumbues, nuk do të mund të dëgjojmë më fjalën e tij të mprehtë e inteligjente, të fuçishme e të butë, vizionare dhe pragmatike, që hapte rrugë edhe atëherë kur shumica mendonte se janë mbyllur shtigjet për të shkuar përpara.

Heci për toke 70 vite në përpjekjen për të realizuar ëndrrën e shëndetësisë Europiane për Shqiptarët duke e shndërruar realitetin e vrazhdë të injorancës, smirës, mospajtimeve, moskuptimeve e pengesave në ëndërr të kapshme, e beri këtë ne çdo moment të ekzistencës së tij pavarësisht prej rrethanave të kohës.

Sot po ndahemi nga njeriu që kurr dhe asnjëherë nuk e lejoi që të robërohet nga interesi material por me kënaqësin më të madhe deri te skajshmëria i ishte dorëzuar robërisë së dashurisë për profesionin e shenjtë të mjekut dhe respektit për të sëmurin dhe familjen e tij. 

Po ndahemi përkohësisht nga njeriu që ishte sinonim i drejtësisë në të gjitha mjediset ku ka veprua e punua e në rradhë të parë në Fakultetin e Mjekësisë dhe Klinikën e Kirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës që ai aq shumë e deshti më çdo qelizë të qenies së tij, të Qendrës Klinike Universitare e cila për Profesor Haxhijahën gjithmon ka qenë as më shumë e as më pak se Spital i Popullit për të cilin e shkriu edhe atomin e fundit të energjisë profesionale deri në moshën e shtyer duke iu gëzuar me krenari të pafshehur sukseseve të gjeneratave të reja të kirurgëve nxënës të tij.

 

Të dashur të pranishëm, 

Profesor Haxhijaha ishte ndër personalitetet më poliedrike që ka njohë historia e mjekësisë kombëtare Shqiptare, personifikim i vlerave më të kulluara etike dhe morale të popullit Shqiptarë të kurorëzuara me dituri të pastër e të dobishme dhe mbi të gjitha me guxim heroik për ta thënë dhe për ta mbrojtë të vërtetën, për të luftuar të keqen me të mirën.

 

Si i këtillë PROFESOR DOKTOR SAMEDIN HAXHIJAHA me madhështinë dhe përmbajtjen e plotë të çdo shkronje të emrit dhe mbiemrit të tij na ka bërë të ndihemi të nderuar që në mesin tonë kemi një burrë të këtillë - personifikim të së mirës dhe kundështarë të pakompromis të së keqes. 

Janë të panumërta thëniet margaritare të Profesor Samedinit, gjithmon të sakta, vizionare dhe shpresëdhënëse, të drejta deri në pakompromis me dyfytyrësinë, të vendosura, ofruese dhe shpresëdhënëse.

Do të na mungon shumë zotëri Profesor, për të parë e për të dëgjuar por fjalët dhe veprat tua do të jetojnë përjetë në mua dhe kolegët e tu të cilët në vazhdimësi i nderove me sinqeritetin dhe luciditetin tëndë, do të jeton përjetë në hapësirat e Fakultetit të Mjekësisë, Klinikës tënde të dashur të Kirurgjisë, në hapësirat e gjithë shëndetësisë Kosovare dhe Kosovës tënde që e nderove me punën tënde të palodhshme.

I dashuri profesor u ndave prej kësaj bote me faqe të bardhë, la pas vete familje të nderuar e të respektuar, nipa e mbesa që do të përtërijnë nëpër gjenerata virtytet e tua të larta, la pas vetes mijëra studentë që i deshte si fëmijët e tu e që të deshtën si prindin e tyre, la pas vetes dhjetëra mijëra të sëmurë me buzëqeshje në fytyrë pas intervenimeve tua unike profesionale, la pas vetes Kosovën e lirë e të pavarur për të cilën aq shumë punove e u sakrifikove, prandaj i dashuri profesor TË LUMTË, JETOVE SI I KA HIJE NJERIUT, KRIJESËS ME TË PËRKRYER TË ZOTIT TË MADHËRISHËM, për këtë padyshim të pretë shpërblimi i tij. QËNDRO I QETË, TI E PERMBUSHE AMANETIN TËNDË NË MËNYRËN MË TË MIRË, e na pasuesit e tu do ta kemi më lehtë pas teje sepse ke shtruar shumë vizione largpamëse para nesh të cilat do të mundohemi ti realizojmë.

E falenderojë Zotin e Madhërishëm që ma mundësoi qe të kem afër në momente të rëndësishme të jetës sime për të më udhëzuar  në sfidat e kohës me mprehtësin e mendjes tënde dhe butësin e çiltërsin e zemrës tënde.

Të falemnderit.
Ferid Agani