Programi

 

PARTIA E DREJTËSISË
Në Kuvendin e V-të të PD-së mbajtur, më 29.06.2008 në Prishtinë, u miratua:

Programi i Partisë

KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Pika 1
Partia e Drejtësisë, në tekstin e mëtejmë Partia, është bashkim vullnetar politik i qytetarëve të Kosovës, të cilët të frymëzuar nga besimi në Zot dhe të përkushtuar për Komb dhe Atdhe, angazhohen për ndërtimin e shtetit demokratik dhe qeverisje të ndershme.

Pika 2

Partia vepron në bazë të normave e rregullave të përcaktuara me Statut.

Pika 3

Partia organizohet e vepron mbi bazën e ideve dhe parimeve të demokracisë konservatore, si parti politike e qendrës, që ngrihet mbi vlerat e identitetit kombëtar e fetar të qytetarëve dhe parimet e shtetit të fuqishëm e të drejtë; e mbështetur në moral të shëndoshë, individual dhe kolektiv.

Pika 4

Partia përkrah zhvillimin gradual dhe të planifikuar të ndryshimeve shoqërore, pa polarizime dhe konflikte.

Pika 5

Partia përfaqëson interesat e mirëfillta të qytetarëve dhe jo të grupeve të privilegjuara.

Pika 6

Partia e konsideron mërgatën kosovare si përcaktuese të rëndësishme të politikave shtetërore.

Pika 7

Partia bën luftë të pakompromis kundër të gjitha dukurive negative shoqërore, duke u mbështetur në shembullin personal dhe partiak.

Pika 8

Partia kundërshton çdo ideologji ekstreme, çdo doktrinë e praktikë politike: ateiste, kundërnjerëzore, totalitare, raciste dhe diskriminuese, si dhe çdo lloj veprimtarie që bie ndesh me konventat ndërkombëtare përkitazi me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Pika 9

Partia e sheh bashkëpunimin dhe tolerancën ndërfetare si shtyllë të veprimit politik në funksion të përparimit të çështjes kombëtare dhe shtetërore; promovon stabilitetin dhe unitetin shoqëror, kulturën e përgjegjësisë, integrimit, dialogut dhe bashkëpunimit.

Pika 10

Partia angazhohet që institucionet e Republikës së Kosovës të realizojnë partneritet parimor dhe konstruktiv me përfaqësuesit politikë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj.

Pika 11

Partia synon që çështja kombëtare shqiptare të zgjidhet me mjete jo të dhunshme, në pajtim me të drejtën e popullit për vetëvendosje dhe normat ndërkombëtare.
Partia angazhohet fuqishëm që bashkëveprimi kombëtar të jetë detyrë patriotike, synim i përgjithshëm dhe veprim i organizuar, konceptual dhe profesional i shqiptarëve kudo që jetojnë.
Partia mbështetet në qëndrimin se përkushtimi për çështjen kombëtare është e drejtë historike dhe detyrim ndaj të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes së kombit.
Partia konsideron se kufijtë që e ndajnë kombin shqiptar janë kufij të padrejtë; ndërsa zgjidhjen e çështjes kombëtare e sheh në kuadër të integrimeve të shteteve ku jetojnë shqiptarët, në Bashkësinë Evropiane, NATO dhe strukturat e tjera veri-atlantike dhe ndërkombëtare.

Pika 12

Partia konsideron se ndërtimi i marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike paraqet prioritet politik të institucioneve të Kosovës.

 


KAPITULLI II
SISTEMI POLITIK DHE SHTETI LIGJOR


Pika 1
Partia synon mirëqenien e qytetarëve dhe përparimin e kombit dhe të shtetit, nëpërmjet ruajtjes dhe përparimit të vlerave morale, individuale dhe kolektive, si dhe emërimit në postet e rëndësishme shtetërore, të kuadrove me kualitete të dëshmuara njerëzore, kombëtare, dhe profesionale.

Pika 2

Partia angazhohet për ruajtjen dhe përparimin e rregullit kushtetues, që siguron sovranitetin e popullit si burim të legjitimitetit politik dhe legalitetit shoqëror.

Pika 3

Partia e sheh zbatimin e decentralizimit nën mbikëqyrjen e plotë kushtetuese të pushtetit qendror.

Pika 4

Partia ofron bashkëpunim konstruktiv në skenën politike, mbi baza të barazisë dhe respektit të ndërsjellë.

Pika 5

Partia angazhohet për ndërtimin e shtetit demokratik ligjor, me pushtete të ndara e të balancuara, legjislative, ekzekutive, dhe gjyqësore dhe sistem kushtetues që parandalon konfliktet joparimore në mes tyre, duke siguruar shprehjen e lirë të mendimit të qytetarëve.
Partia mbështet ushtrimin e plotë të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës mbi Qeverinë dhe organet e tjera ekzekutive të themeluara nga ana e tij.

Pika 6

Partia është kundër çdo diskriminimi dhe angazhohet për njohjen, respektimin dhe garantimin e plotë të të drejtave të njeriut.

Pika 7

Partia njeh, respekton dhe garanton të drejtat e bashkësive etnike pakicë në Kosovë, veçanërisht përkitazi me ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, gjuhës, kulturës dhe veçorive të tjera specifike, si dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në veprimtaritë ekonomike e shoqërore të vendit.

Pika 8

Partia angazhohet për administratë të unifikuar, shtetërore, efikase dhe të disiplinuar, me ndarje të qartë të kompetencave midis organeve qendrore dhe lokale të pushtetit.

Pika 9

Partia synon pushtet gjyqësor të pavarur, të depolitizuar, të paanshëm, e të organizuar mirë, me nivel të lartë profesional dhe moral. Për arritjen e këtij qëllimi, Partia i jep rëndësi parësore zgjedhjes dhe emërimit të kuadrove të ndershme, të aftë, seriozë e të pakorruptuar në gjyqësor, si dhe kompensimit të tyre adekuat. Në këtë drejtim, Partia do t’i kushtojë vëmendje të veçantë rritjes së numrit të gjykatësve dhe prokurorëve si dhe aftësimit të tyre profesional, me qëllim të përmirësimit të sundimit të shtetit ligjor.

Pika 10

Partia angazhohet për një forcë ushtarake që përmbush standardet e NATO-s.

Pika 11
Partia konsideron se detyra parësore e shtetit ligjor është sigurimi i qetësisë së plotë publike, i jetës e pasurisë së qytetarëve; si dhe çrrënjosja e kriminalitetit dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet e administratës shtetërore dhe sferat e tjera të jetës shoqërore.
Në këtë drejtim, Partia do të mbështetë funksionimin e papenguar të Agjencionit kundër Korrupsionit si dhe depolitizimin e organeve të tjera kundër korrupsionit, të formuara nga Kuvendi i Kosovës.
Partia angazhohet për shërbim profesional, të depolitizuar të inteligjencës, nën mbikëqyrje parlamentare.

Pika 12

Partia është e vendosur që në Republikën e Kosovës të zbatohen vetëm ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

 

KAPITULLI III
ZHVILLIMI EKONOMIK

Pika 1
Partia synon zhvillimin e balancuar ekonomik dhe social, të mbështetur mbi parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe të drejtësisë sociale, në pajtim me realitetin ekonomik dhe social të vendit.

Pika 2

Misioni i Partisë është rritja e vazhdueshme e mirëqenies ekonomike, zvogëlimi i papunësisë dhe varfërisë, ndërtimi i sistemit të qëndrueshëm ekonomik dhe juridik, stabiliteti makroekonomik; balancimi i bilancit të pagesave dhe themelimi i sistemit bashkëkohor financiar.

Pika 3

Politikat e Partisë në këtë drejtim janë: mbikëqyrja e fuqishme parlamentare; politika fiskale si mjet për realizimin e objektivave sociale dhe ekonomike; ulja e shkallës së tatimeve për ndërmarrje prodhuese; garantimi i pronës private të fituar me drejtësi; transparenca e plotë në procesin e përpilimit të buxhetit dhe të privatizimit; shfrytëzimi i përparësive komparative, demografike, gjeostrategjike, dhe natyrore të vendit; krijimi i kushteve për menaxhmente bashkëkohore në ndërmarrje; bashkëpunimi me institucionet relevante shkencore përkitazi me zhvillimet ekonomike në tregun botëror; përdorimi racional i resurseve në bazë të prioriteteve nacionale; sigurimi i energjisë së mjaftueshme, pa dëme anësore për shëndetin dhe mjedisin e njeriut nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve të kombinuara të prodhimit e të bartjes së energjisë elektrike, duke shfrytëzuar resurset natyrore të thëngjillit dhe ujit, ndërlidhjen e sistemit energjetik me Republikën e Shqipërisë dhe pozitën gjeostrategjike të vendit përkitazi me rrugët e gazpërcjellësve rajonalë dhe ndërkombëtarë; ndërtimi i infrastrukturës kualitative rrugore dhe hekurudhore; ristrukturimi ekonomik nëpërmjet privatizimit të drejtë; mbështetja e iniciativës së lirë në investime veçanërisht në sektorin e bujqësisë; subvencionimi i prodhimtarisë bujqësore, me qëllim të parandalimit të migrimit nga fshati në qytet; zhvillimi dhe përkrahja e kapaciteteve industriale për prodhimin e artikujve themelor të jetesës për të cilët ekziston tregu i sigurt në vend; themelimi i tregjeve të kapitalit; inkurajimi i investimeve të jashtme, veçanërisht nga bashkatdhetarët në mërgatë; zvogëlimi i deficitit ekzistues tregtar nëpërmjet stimulimit të prodhimit vendor dhe eksportit të mallrave, veçanërisht në shtetet me të cilat kemi marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike; sigurimi i kualitetit të produkteve të prodhuara në Kosovë sipas standardeve ndërkombëtare; themelimi i fondeve publike për financimin e sektorëve të veçantë shoqërorë; mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet sistemit të përshtatshëm fiskal dhe themelimit të bankave komerciale në pronësi mikse me kapitalin privat, veçanërisht në sektorin e bujqësisë; strategjia për zhvillimin e turizmit; sigurimi i investimeve nga jashtë, dhe garantimi i tyre nga ana e shtetit; zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me odat ekonomike të shteteve mike dhe sigurimi i mbështetjes së volitshme financiare nga institucionet monetare ndërkombëtare.

Pika 4

Partia synon rritjen e buxhetit të shtetit nëpërmjet: 1) rritjes së vazhdueshme ekonomike; 2) eliminimit të evazionit fiskal dhe realizimit të plotë të të hyrave fiskale dhe 3) zbatimit të tatimeve në mallra dhe produkte luksoze, siç janë: pijet alkoolike, duhani, karburantet dhe sigurimet e automjeteve.

Pika 5

Partia angazhohet për privatizimin e drejtë të ndërmarrjeve publike me rëndësi strategjike. Deri në privatizimin e tyre ato duhet të vihen nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Kuvendit të Kosovës, si institucione ekonomike me rëndësi të veçantë publike.

Pika 6

Partia angazhohet për hulumtimin sistematik dhe shfrytëzimin optimal të resurseve në sektorin e xeheve dhe mineraleve si dhe zhvillimin e kapaciteteve përkatëse përpunuese në këtë drejtim.

Pika 7

Partia ka si prioritet modernizimin e sistemeve transportuese, automobilistike, hekurudhore dhe ajrore.

Pika 8

Partia angazhohet për kushte sa më të volitshme ligjore për investitorët e huaj nëpërmjet krijimit të kushteve për investime të sigurta dhe profit përpjesëtimor me atë në tregun ndërkombëtar.

Pika 9

Partia promovon investimet sipas modelit të investimeve publike – private në nivelin komunal, në veçanti nga ana e qytetarëve të Kosovës që punojnë dhe jetojnë në përkohësisht botën e jashtme.

Pika 10

Partia angazhohet për rregullimin ligjor të të drejtave dhe përgjegjësive të punëtorëve, në sektorin publik dhe privat, përfshirë të drejtat e grevës dhe të organizimit sindikal.

Pika 11

Partia angazhohet për politikën e tregtisë së lirë dhe kundër masave proteksioniste në ekonomi.

Pika 12

Partia angazhohet për shtet me plan dhe prioritete të qarta strategjike në sferën e zhvillimit ekonomik si dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në financimin e shërbimeve të caktuara publike, siç janë transporti dhe shëndetësia.

KAPITULLI IV
FUSHAT E TJERA


Shëndetësia

Pika 1
Partia synon, përmirësimin e shëndetit të popullatës; rikthimin e dinjitetit të punëtorëve shëndetësorë; respektimin e të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve të kujdesit shëndetësor; ngritjen e nivelit profesional të punëtorëve shëndetësorë; dhe rikthimin e besimit të humbur në sistemin shëndetësor.
Partia angazhohet, për mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës nëpërmjet sigurimit të ujit higjienik të pijes në viset rurale të Kosovës dhe ajrit dhe mjedisit të shëndoshë në viset urbane; për shërbime kualitative, të kujdesit shëndetësor në të tri nivelet, për të gjithë qytetarët, mbështetur në parimet e: ruajtjes së jetës; fuqizimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve; barazisë së sektorit publik dhe privat; ndarjes së plotë të punësimit në sektorin publik dhe privat; rritjes së përgjegjësisë dhe kompetencave të punëtorëve shëndetësorë; reciprocitetit dhe solidaritetit gjatë ofrimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, si dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare gjatë edukimit mjekësor.
Partia angazhohet që sistemi publik i shëndetësisë të jetë në funksion parësor të shtresave më të varfra të qytetarëve. Qytetarët me gjendje më të mirë ekonomike mund të shfrytëzojnë shërbimet në sektorin publik ose privat të shëndetësisë, në bazë të kartelës së sigurimit shëndetësor ose në bazë të çmimit të tyre ekonomik.
Për këto qëllime, Partia mbështet: decentralizimin e rolit menaxhues të Ministrisë së Shëndetësisë; themelimin e sistemit unik të sigurimeve shëndetësore; organizimin e institucioneve të nivelit të dytë dhe të tretë të kujdesit shëndetësor si ndërmarrje publike e shëndetësisë së Kosovës; themelimin e Këshillit të Përgjithshëm Profesional si organ përfaqësues të punëtorëve shëndetësorë; punësimin e obliguar të mjekëve dhe infermierëve të sapo diplomuar si praktikantë në ambulancat dhe punktet e largëta shëndetësore; ngritjen e kapaciteteve planifikuese në sektorin farmaceutik; zbatimin strikt të legjislacionit në lëmin e barnave; riorganizimin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës; bashkëpunimin e ngushtë profesional dhe shkencor me institucionet relevante ndërkombëtare, në radhë të parë ato ku punojnë ekspertët eminentë kosovarë; si dhe zhvillimin e shërbimit të infermierisë.

Arsimi dhe Shkenca

Pika 2
Partia, konsideron se politikat arsimore duhet të reflektojnë, në mënyrë parësore, nevojat e ekonomisë së vendit dhe mungesën e kuadrit kualitativ, profesional dhe shkencor. Në këtë sektor, Partia ka si mision themelor: shtimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore; ripërtëritjen e vlerave etike dhe morale të familjes shqiptare gjatë procesit mësimor; përmirësimin e kualitetit të arsimit në të gjitha nivelet; rikthimin e dinjitetit të nxënësit dhe mësimdhënësit; dhe parandalimin e dukurive negative në mjediset shkollore. Partia angazhohet për arsim që promovon unitetin e qenies fizike dhe shpirtërore të njeriut dhe që mbështet identitetin kombëtar të nxënësve.
Kjo do të arrihet nëpërmjet politikave, si vijon: dhënia e prioritetit shkencës dhe arsimit me rastin e përgatitjes së buxhetit; ndërtimi i shkollave të reja; mbështetja e studimeve pas-diplomike jashtë vendit; themelimi i shkollave të mesme me orientime profesionale (zejtare); edukimi i rinisë së përgjegjshme për themelimin dhe ruajtjen e familjes, kultivimin e kultit të punës dhe themelimin e marrëdhënieve të sinqerta në familje e në shoqëri; zbatimi i lëndës së arsimimit dhe edukimit fetar në shkollat fillore dhe të mesme; përpilimi i teksteve mësimore, me objektivitet shkencor, të zhveshura nga çfarëdo ideologjie; rikthimi i dinjitetit të mësuesit të klasës së parë; përmirësimi i gjendjes ekonomike të arsimtarëve dhe punëtorëve ndihmës në të gjitha nivelet; fuqizimi i autonomisë dhe ngritja e përgjegjësisë së universiteteve; riorganizimi i Universitetit të Prishtinës në më shumë universitete publike; akreditimi profesional i universiteteve në sektorin privat; fuqizimi i inspektoratit të arsimit; reforma e sistemit të promovimeve akademike; sigurimi i vlerësimit të mësimdhënësve nga ana e nxënësve dhe studentëve në të gjitha nivelet e arsimit; dhe mbështetja e projekteve donatore.
Partia angazhohet për fuqizimin e rolit shoqëror të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Institucionet e larta arsimore dhe shkencore duhet të ofrojnë më shumë mundësi të shkollimit për studentët nga trojet shqiptare jashtë Kosovës, ndërsa programet mësimore në mërgatë duhet të jenë të unifikuara; në mënyrë që arsimi dhe shkenca të bëhen faktor i fuqishëm veprues për kompaktësimin e përparimin e mëtejshëm të kulturës e të lidhjeve mbarëshqiptare.

Kultura, Feja dhe trashëgimia kulturore

Pika 3
Partia mbështet: ruajtjen e identitetit kulturor të kombit si interes kombëtar; shumëllojshmërinë dhe diversitetin e kulturave, qytetërimeve, gjuhëve dhe popujve, si dhe pluralizmin ideologjik dhe fetar, si mundësi për njohjen më të mirë të ndërsjellë; kulturën e dialogut, si garanci për paqe dhe prosperitet; dhe bashkëjetesën kulturore ndërmjet shumicës shqiptare dhe bashkësive të tjera etnike në Kosovë.
Partia ka si mision: integrimin e vazhdueshëm të vlerave kulturore në identitetin qytetar të shtetasve të Kosovës; depolitizimin e institucioneve kulturore; ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta kulturore; ngritjen e standardeve etike dhe kulturore të shoqërisë; eliminimin e vlerave të dyshimta; dhe promovimin e dialogut ndërkulturor, me synim që t’i shërbehet afirmimit më të madh të kombit dhe pasurimit të jetës shpirtërore të njerëzve, krahas demokratizimit të shoqërisë.
Politikat e Partisë në këtë drejtim janë: promovimi i vlerave kulturore dhe ruajtja e trashëgimisë, shpirtërore dhe materiale; projektet kulturore si pjesë e marrëveshjeve ndërshtetërore; shtimi i buxhetit për institucionet e kulturës, në nivelin qendror dhe komunal; përkrahja e nismave dhe organizimeve, që kanë për qëllim zhvillimin e gjithmbarshëm të kulturës; promovimi i dialogut ndërkulturor në të gjitha nivelet; shtimi i resurseve menaxheriale; përkrahja e mediave publike dhe private që angazhohen për ruajtjen dhe përparimin e identitetit kulturor të qytetarëve; përkrahja e aktiviteteve të shoqërisë civile që janë në funksion të afirmimit të vlerave të traditës kombëtare e shpirtërore; përkujdesja, ruajtja dhe mbrojtja e vlerave kulturore tradicionale, duke përfshirë mbrojtjen institucionale të monumenteve fetare dhe kulturore-historike; dhe digjitalizimi i institucioneve kulturore.
Partia angazhohet për themelimin e Ministrisë për Fetë si dhe zyrtarizmin ligjor dhe përkrahjen institucionale të bashkësive tradicionale fetare: Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkvisë së Kosovës; dhe Kishës Ortodokse Serbe; si dhe të bashkësive fetare që me përmasat e anëtarësisë së tyre imponohen në jetën shoqërore të vendit.

Mirëqenia sociale

Pika 4
Partia angazhohet për: programe gjithëpërfshirëse sociale dhe shtet të drejtë social, të mbështetur mbi parimet e reciprocitetit dhe solidaritetit.
Misioni i partisë në këtë sektor është: zbutja e varfërisë dhe krizës ekzistenciale; zvogëlimi i padrejtësive sociale; mbrojtja sociale e fëmijëve, pleqve dhe të rinjve të disfavorizuar; parandalimi dhe luftimi i dhunës në familje; sistemi i qëndrueshëm i politikës sociale; dhe themelimi i sistemit juridik që garanton nivel të arsyeshëm të sigurisë sociale.
Politikat e Partisë në këtë drejtim janë: harmonizimi i strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe politikave gjithëpërfshirëse dhe prioritare të mirëqenies sociale; funksionalizimi i mjeteve të grumbulluara në Trustin Pensional të Kosovës; themelimi i Fondit pensional dhe invalidor të Kosovës; mbrojtja me ligj e fëmijëve nga puna e rëndë; decentralizimi i të drejtave sociale; riorganizimi, racionalizimi dhe përparimi profesional i shërbimeve sociale; sigurimi i mbrojtjes sociale dhe edukative për fëmijët pa prindër; mbrojtja e nënave dhe fëmijëve nëpërmjet sigurimit shëndetësor; luftimi i dhunës në familje; sigurimi i teksteve dhe mjeteve shkollore për fëmijët nga familjet e varfra; aftësimi profesional i të rinjve në gjendje të rëndë sociale; luftimi i prostitucionit; rehabilitimi psikosocial i viktimave të trafikimit dhe të sëmurëve nga sëmundjet e vartësisë; mobilizimi i strukturave qeveritare, vendore dhe ndërkombëtare, në zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.

Bujqësia

Pika 5
Partia mbështet zhvillimin e qëndrueshëm rural përmes zhvillimit të ekuilibruar ekonomik si dhe planifikimin, menaxhimin dhe përdorimin optimal të tokës bujqësore, të pyjeve dhe të hidroekonomisë.
Misioni i partisë në sektorin e bujqësisë është shtimi i prodhimit bujqësor; ruajtja dhe rritja e sipërfaqes se tokës punuese; shtimi i përqindjes së popullatës që merret me bujqësi; dhe plotësimi i standardeve evropiane të kualitetit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
Politikat e Partisë në këtë drejtim, janë: përpilimi i strategjisë koherente të zhvillimit rural 2009 – 2014, me objektiv parësor të krijimit të kushteve më të mira në viset rurale, pengimit të migrimit fshat – qytet dhe kthimit të popullatës rurale në fshatra; ruajtja dhe rritja e fondit të tokës bujqësore; rivitalizimi i sistemit të ujitjes; zhvillimi i agroekonomisë, infrastrukturës rurale dhe qasjes në treg; sigurimi i tregut në ekonomitë e shteteve mike; lehtësimet ligjore për kreditimin e bujqësisë; përmirësimi i kontrollit të cilësisë së ushqimit nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja; përpilimi i programit të marketingut të prodhimeve vendore, në tregun vendor dhe të jashtëm; nxitja e zhvillimit të bujqësisë organike dhe ekologjike; kontrolli kualitativ i prodhimeve bimore dhe shtazore; shtimi i eksportit të produkteve ushqimore; përmirësimi i mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe planifikimit të tyre racor; avancimi i shërbimit veterinar; operacionalizimi i sistemit të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve shtëpiake; koordinimi i shoqatave të prodhuesve; dhe mbështetja e projekteve donatore për zbatimin e masave kyçe, në periudhën afat-mesme.

Gruaja dhe Familja

Pika 6
Misioni i Partisë në këtë sektor është: fuqizimi i familjes së shëndoshë nëpërmjet theksimit të vlerave të saja sociale, ekonomike, dhe morale; si dhe fuqizimi i rolit shoqëror të martesës si bashkim ligjor i mashkullit dhe femrës; promovimi i pozitës dinjitoze të femrës në të gjitha sferat e jetës shoqërore, në pajtim me veçoritë e saja biologjike, psikologjike dhe sociale; barazia e plotë e femrës me rastin e vendim-marrjes për çështje të rëndësishme, shtetërore; zvogëlimi i numrit të shkurorëzimeve dhe aborteve; parandalimi i shfrytëzimit, keqtrajtimit dhe dhunës ndaj femrës; si dhe përmirësimi dhe mbrojtja e pozitës së nënës në familje dhe në shoqëri.
Në këtë drejtim, Partia angazhohet për: themelimin e Ministrisë për çështje të familjes; arsimimin, aftësimin profesional, si dhe sigurimin e vendeve përkatëse të punës, veçanërisht në biznesin e vogël; kyçjen optimale në jetën institucionale; shërbimet këshilluese me rastin e themelimit të martesës; ndalimin strikt të aborteve joligjore; zgjatjen e pushimit të lehonisë deri në nëntë muaj; dhe zbatimin e projekteve relevante hulumtuese.

Rinia

Pika 7
Partia e vlerëson rininë si përparësinë kryesore komparative e vendit. Prioritete në këtë sektor paraqesin: mënjanimi i krizës ekonomike dhe ofrimi i perspektivës premtuese; mundësimi i arsimimit kualitativ dhe edukimit të mirëfilltë; dhe pjesëmarrja aktive dhe frytdhënëse në jetën institucionale, akademike, kulturore, sportive dhe rekreative, të vendit.
Partia angazhohet për: sigurimin e mundësisë së vijimit të shkollimit të rregullt në të gjitha nivelet e arsimit publik; emancipimin politik dhe fuqizimin e pjesëmarrjes në vendimmarrje institucionale; punësimin e shtuar në bazë të programeve të veçanta ekonomike, në vend dhe jashtë tij; promovimit të punës vullnetare; përkrahjes së organizimit në sektorin joqeveritar, si dhe bashkëpunimit në nivelin rajonal dhe më të gjerë ndërkombëtar; luftimin e dukurive negative dhe degradimit moral; përkrahjen e punës hulumtuese dhe shkencore; krijimin e kushteve për aktivitete të organizuara, kulturore dhe sportive; si dhe ndalimin e shitjes së duhanit dhe të pijeve alkoolike personave nën 16 vjeç.

Mjedisi

Pika 8
Partia angazhohet për zbatimin strikt të ligjeve në sektorin e mbrojtjes së mjedisit, ujit, ajrit, tokës dhe pasurisë pyjore, nga ana e organeve shtetërore me kompetencë organizative e profesionale. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së mjedisit në qytetet e Mitrovicës, Obiliqit dhe Hanit të Elezit.


KAPITULLI V
BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR


Pika 1
Partia angazhohet për politikë të jashtme në shërbim të interesave shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare; të mbështetur në parime të qëndrueshme dhe afatgjata.

Pika 2

Partia përkrah marrëdhëniet diplomatike me shtetet që historikisht kanë dëshmuar mbështetje për kombin shqiptar, dhe integrimin e plotë të Kosovës në bashkësinë e shteteve të pavarura dhe sovrane.

Pika 3

Partia, asnjëherë, nuk nxit armiqësi të pabazuar ndaj ndonjë shteti apo kombi tjetër.

Pika 4

Partia angazhohet për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, duke qenë koshiente për vështirësitë që kanë ekzistuar dhe që vazhdojnë të ekzistojnë në relacion me Republikën e Serbisë.

Pika 5

Partia i sheh marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri si marrëdhënie specifike midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, ku shumicën e paraqet i njëjti komb, me perspektiva të përbashkëta evropiane.

Pika 6

Partia angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e mekanizmat e tjerë relevantë ndërkombëtarë: Bashkësinë Evropiane, NATO, OSBE, Konferencën e Shteteve Islame, Fondin Monetar Ndërkombëtar; Bankën Botërore, etj.

Pika 7

Partia mbështet shërbimin profesional diplomatik, të liruar nga interesat e ngushta partiake dhe klanore.

 


Vërtetohet se ky Program u miratua në Kuvendin e Pestë Zgjedhor të Partisë së Drejtësisë!