Për një orë të humbur, mësimdhënësve t’u ndalen 5 euro

Prishtinë, 04 gusht 2014

Asamblisti i Partisë së Drejtësisë, në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Ermal Lahu,  ka kërkuar nga organet kompetente aplikimin e masave disiplinore ndaj mësimdhënësve të cilët mungojnë gjatë procesit mësimor.  

Lahu,  në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, ka propozuar që për çdo orë të humbur mësimdhënësve t’u ndalen nga 5 euro.

‘’Për mungesa të pa arsyeshme për një orë mësimore të aplikohet ndalesa në të ardhura personale në vlerë më të lartë se 5 euro, për arsye se, një orë e humbur nuk mundë të kompensohet, dhe se nuk e shoh të arsyeshme e as të logjikshme të jetë më e ulët se ndalesa për kujdestari dhe për mungesa në mbledhje”, ka pohuar Lahu.

Sipas tij, kjo do të ndikonte sadopak në vijimin e rregullt të orëve mësimore nga disa mësimdhënës të papërgjegjshëm, të cilët po bëjnë mungesa të paarsyeshme.

 

Mirëpo, me shumicën e votave, në fund u miratua propozimi që gjoba për mësimdhënësit që shkelin rregulloren e punës të jetë në proporcion me pagën.