Komuna të ndihmojë financiarisht Handikos-in

Prishtinë, 7 maj 2014

Partia e Drejtësisë, dega në Gjakovë, ka kërkuar nga Komiteti për Politik dhe Financa në këtë komunë që në rishikimin e buxhetit për vitin 2014 të ndajë një shumë të mjaftueshme të mjeteve financiare për qendrën e rehabilitimit Handikos.

Asamblisti i PD-së në këtë komunë, Bahri Bokshi, këtë kërkesë e ka mbështetur në faktin që personat me nevoja të veçanta nuk gëzojnë të drejtat që u takojnë dhe t’i kenë privilegjet që i gëzon pjesa tjetër e shoqërisë.

“ Mendoj se është e ndershme dhe e nevojshme që nga ana e Kuvendit Komunal të mbështetet kjo qendër, dhe personat me nevoja të veçanta t’i gëzojnë të gjitha privilegjet që i gëzon shoqëria jonë.  Kujtoj se personat me nevoja të veçanta duhet të kenë prioritet nga organet kompetente  komunale, dhe shpresoj që kjo kërkesë e drejtë të mbështetet nga të gjithë anëtarët e K.P.F. dhe në Asamblenë Komunale”, ka pohuar Bokshi.

Bokshi ka shtuar më tej se nëse buxheti i komunës nuk është i mjaftueshëm për ta përkrahur dhe ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, një gjë të tillë ka kërkuar të bëhet nga vet asamblistët, nga të cilët ka kërkuar të ndahen minimumi nga 20 euro në muaj e të cilat do t’i dedikoheshin shoqatës Handikos.

 

“Nëse nuk mund të realizohet kërkesa e parë për shkak të implikimeve buxhetore dhe propozoj që nga mëditja që marrim në Asamblenë  Komunale të ndajmë minimum nga 20 euro në muaj duke përfshirë edhe drejtorët e drejtorive. Ky është minimumi që mundë të bëjmë për personat me nevoja të veçanta e që është obligim i të gjithëve që edhe kjo pjesë e shoqërisë sonë të ndjehet e barabartë”, ka pohuar ai.