Lahu kundër ndalimit të aktiviteteve në xhaminë në afërsi të Hotel Kalasë

Prishtinë, 26 prill 2014

Partia e Drejtësisë, dega në Vushtrri, është kundër ndalimit të aktivitetit në xhaminë e improvizuar në afërsi të Hotel KALAJA, gjë për të cilën është ankuar familja Haziri, e cila konsideron si zhurmë dhe pengesë ezanin e kësaj xhamie të improvizuar. Asambleisti i PD-së, Ermal Lahu, gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal në Vushtrri, ka kundërshtuar ashpër një kërkesë të tillë dhe ka ftuar drejtuesit e kësaj komune që të lëshojnë leje për këtë xhami të improvizuar.

Në vazhdim mund ta lexoni deklaratën e asambleistit Ermal Lahut, që e lexoi para asamblesë komunale të Vushtrrisë:

Duke e pasur në konsideratë kërkesën e familjes Haziri për ndalimin e aktivitetit në xhaminë e improvizuar në afërsi të Hotel KALAJA dhe njoftimin e Bashkësisë Islame në Vushtrri, për punën e kësaj xhamie, mund të them se kërkesa e familjes Haziri e përcjellë me akuza të ndryshme dhe të pa baza, është shumë e pa argumentuar, ndërsa Bashkësia Islame e Vushtrrisë, duke e argumentuar mirë punën e imamit të xhamisë dhe xhematit të asaj xhamie, dëshmon se është në gjendje t’i marr të gjitha masat e nevojshme për t’i shmangur të gjitha problemet e mundshme, duke bërë edhe veprime si ndaljen e ezanit (që të mos dëgjohet jashtë xhamisë),n daljen e mësim-besimit, vetëm e vetëm për të ruajtur vlerat më të mira të mirëkuptimit të ndërsjellë mes qytetarëve,d he për të evituar brengat e kësaj familjeje.

Të gjitha këto masa të ndërmarra nga Bashkësia Islame, dëshmojnë se janë pro respektimit të ligjit dhe dëshmojnë se të gjitha aktivitetet në atë xhami janë në përputhje me rregulloret e Bashkësisë Islame dhe assesi aktivitete që cenojnë rendin publik të qytetarëve, e të cilën gjë e thotë pala ankuese, këtë mund ta dëshmojë edhe stacioni Policor në Vushtrri.

Gjithashtu duhet të përmendim peticionin e banorëve të asaj lagjeje për ndërtimin e xhamisë, drejtuar organeve kompetente komunale dhe Bashkësisë Islame në Vushtrri, në të cilin peticion numri i të deklaruarve pro ndërtimit të xhamisë në atë vend është 170.

Ndërsa në këtë peticion për ndalimin e aktivitetit në këtë xhami janë deklaruar 24 persona nga familja Haziri, dhe kjo tregon për rëndësinë e diskutimit dhe ngritjen e shqetësimit të palës ankuese dhe të palës së interesuar për ndërtimin e xhamisë në atë vend.

Unë mendoj se më me interes do të ishte po të flitej sot për dhënien e lejes së ndërtimit të asaj xhamie,sesa të merremi me këtë çështje.

 

Unë propozoj që kjo kërkesë nga kjo familje të hedhet poshtë.