Lahu: Në listën e monumenteve të qytetit të përfshihen edhe Xhamia Gazi Ali Beg

Prishtinë, 25 prill 2014

Asamblesiti i Partisë së Drejtësisë, në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Ermal Lahu, gjatë shqyrtimit të Propozim-Vendimit për revidimin e Plani Zhvillimor Komunal dhe Urban në Komunën e Vushtrrisë, ka kërkuar që procesi i hartimit të planit zhvillimor të jetë proces gjithëpërfshirës.

Ai po ashtu ka shtruar nevojën që në grupet punuese të përfshihen të gjitha grupet e interesit, si pronarët e tokave, komunitetin e biznesit, komunitetin fetar, konkretisht Bashkësinë Islame të Vushtrrisë, si përfaqësuese e bashkësisë më të madhe fetare në komunë, e cila në vazhdimësi paraqet kërkesa për zgjerim të infrastrukturës dhe si pasojë e mospërfshirjes në proces të planifikimit, përballet me pengesa të ndryshme.

Gjithashtu Lahu ka propozuar që në kuadër të listës së monumenteve të qytetit të përfshihen edhe Xhamia Gazi Ali Beg, e cila është e të njëjtës periudhë historike sikurse Hamami dhe njëra ndër xhamitë më të vjetra në Ballkan, si dhe shtëpitë e mbetura qytetare, të arkitekturës tradicionale shqiptare, të cilat kanë mbetur në fond shumë të vogël.

 

Këto monumente duhet të revitalizohen dhe të vendoset një lidhje organike në mes tyre, përmes një plani detal, që do ta pasojë planin e konservimit, ka përfunduar Lahu fjalën e tij në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.